Ja si e shpjegon shkenca frikën nga peshkaqenët!

Peshkaqenët, veçanërisht peshkaqenët e bardhë, ngjallin shumë frikë te njerëzit.

Nga vjen frika jonë ndaj peshkaqenëve?

David Ropeik, konsulent për perceptimin e frikës dhe autor i “Sa i rrezikshëm është në të vërtetë?” thotë se njerëzit nuk kanë pse të jenë të frikësuar nga peshkaqeni. Por frika nuk përputhet gjithnjë me faktet.

Frika nga peshkaqeni njihet si galeofobia dhe e thënë shkurt, peshqit grabitqarë janë të frikshëm: kanë dhëmbë të mprehtë, ndjejnë gjakun e copëtojnë brenda pak sekondash.

Ekzistojnë më shumë se 465 lloje peshkaqenësh, që fillojnë nga 17 centimetra e deri te 50 metra të gjatë. Shumë prej tyre hanë peshq, molusqe, plankton, gjitarë deti dhe peshkaqenë të tjerë – me pak fjalë, ne nuk jemi në menu.

Njerëzit kanë më shumë të ngjarë të goditen për vdekje nga një lopë sesa të ndërrojnë jetë në nofullat e një peshkaqeni. Por frika nuk përputhet domosdoshmërisht me faktet dhe frika nga peshkaqeni lidhet më shumë me një gjendje emocionale sesa me realitetin.

Frika ka të bëjë me të mos paturit e situatës nën kontroll. Njerëzit i tmerron ideja e përballjes me diçka që është më e fortë se ta. Sipas ekspertëve, frika lidhet më tepër me natyrën e përvojës (det, merr frymë me vështirësi, nuk noton dot shpejt, nuk kundërpërgjigjesh me lehtësi, e ke të vështirë të mbrosh veten) sesa me agjentin (peshkaqenin).

Nga lindi kjo frikë?

Frika nuk është domosdoshmërisht diçka me të cilën njeriu lind, por është diçka që është zhvilluar me kalimin e kohës. Foshnjat nuk kanë frikë nga gjarpërinjtë dhe lartësitë, por të rriturit po. Me kalimin e moshës, truri bëhet më i ndjeshëm ndaj stimujve të frikës.

Në lashtësi, njerëzit nuk e dinin se cilat kafshë ishin kërcënim për ta dhe ky është një fakt i rëndësishëm që i mbajti gjallë. Ata u mësuan me frikën, u përshtatën dhe mbrojtën veten. Ekspertët theksojnë se njerëzit janë më të prirur të kenë frikë nga gjërat biologjike, si kafshët për shembull, dhe kjo është një frikë e trashëguar qysh nga epokat e hershme.

Nëse erdhët deri këtu, na lejoni t’ju risjellim në kujtesë një tjetër artikull.

Në korrik të një viti më parë, një vajzë me emrin Kait Hanson notoi me peshkaqenët dhe më vonë ndau me Insider gjithë eksperiencën jo fort të zakontë: “6 gjëra që mësova pasi notova me peshkaqenët”.

 

1. Gjithë ç’dini për peshkaqenët është e gabuar.

Në vitin 2017, pati vetëm 5 sulme vdekjeprurëse nga peshkaqenët. Njerëzit duhet të njohin pamjen reale të tyre dhe të mos kenë në kokë vetëm pamjet e frikshme me të cilat janë përballur nëpër filma ose media.

2. Peshkaqenët nuk janë të egër.

Ata me të vërtetë janë të portretizuar si “të egër”. Në fakt, fjala “e egër” u shkon për shtat sjelljeve njerëzore (por kjo është tjetër çështje). Peshkaqenët kanë një rol shumë të rëndësishëm në ekosistem, pasi duke ndjekur peshqit e sëmurë, të plagosur ose të dobët, shërbejnë për një mjedis më të shëndetshëm duke parandaluar hapjen e sëmundjeve të ndryshme.

3. Peshkaqenët nuk i hanë njerëzit.

Ky është ndoshta fakti më interesant. Peshkaqenët janë specie kurioze dhe duan të eksplorojnë mjedisin rrethues. Të rralla janë rastet kur peshkaqenët i konsiderojnë njerëzit si pre. Në 90% të rasteve kur përballen me një njeri, ata nuk kanë asnjë interes. Një fakt interesant: Sa më i madh të jetë peshkaqeni, aq më “i turpshëm” është. Është më e lehtë të tërheqësh pranë anijeve peshkaqenë të vegjël, pasi të mëdhenjtë kanë tendencën të fshihen nga njerëzit dhe anijet.

4. Po është e vërtetë – Peshkaqenët tërhiqen nga gjaku.

…por jo nga gjaku juaj. Synimi i tyre nuk është të hanë njerëzit. Thjesht një nga shqisat që përdoret për ushqim është ajo të nuhaturit. Megjithatë nëse është gjaku që ju shqetëson, mësoni që peshkaqenët përdorin edhe të dëgjuarin për t’u orientuar drejt ushqimit.

5. Nuk është mirë të notosh në agim ose muzg.

Në atë periudhë, përgjithësisht peshkaqenët ushqehen dhe duke qenë se nisen nga nevojat e çastit, bëni mirë t’i shmangni. Megjithatë kjo vlen më shumë për peshkaqenët e bardhë ose ata tigër, pasi 95% e peshkaqenëvë nuk janë fare të interesuar për njerëzit që notojnë.

6. Kupton që ke shumë më shumë guxim.

Sado t’i mbushësh mendjen vetes se nuk është e rrezikshme,kur rrethohesh nga specie të tilla, zemra rreh fort. Në ato momente, kupton sa forcë dhe guxim ka njeriu.

×

© Copyright 2020 Radio Eurostar - Të gjitha të drejtat e rezervuara. | Developed by Webiu DigitalAgency