Për herë të parë: Zbulohen aksidentalisht bakteret që hanë metalin!

Shkencëtarët kanë zbuluar në mënyrë aksidentale bakteret që hanë dhe marrin kalori nga metali, ndonëse dyshojnë se kanë ekzistuar prej më shumë se njëqind vjetësh, por thjesht nuk kanë mundur ta provojnë ekzistencën e tyre.

Mikrobiologët nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni i zbuluan rastësisht bakteret teksa kryenin eksperimente duke përdorur një lloj mangani (element kimik, metal) në formë shkumësi. Dr. Jared Leadbetter, profesor i mikrobiologjisë mjedisore, la një kavanoz qelqi me substancën e zhytyr në ujë çezme nga lavamani i zyrës. Ai e la kavanozin në zyrë për disa muaj me radhë, pasi shkoi të punonte jashtë kampusit. Kur u kthye, e gjeti kavanozin me një material të errët.

“Thashë me vete se çfarë do të jetë,” tha Leadbetter në një njoftim për shtyp. Studiuesit zbuluan se veshja e zezë e gjetur në kavanoz ishte mangani i oksiduar i cili ishte gjeneruar nga bakteret që kanë qenë të pranishme në ujin e rubinetit.

Në hulumtimin e botuar në revistën Nature, shkencëtarët vërejnë se këto janë bakteret e para që përdorin manganin si një burim energjie. Studimi i ri zbulon gjithashtu se bakteret mund të përdorin manganin për një proces të quajtur kimosintezë, i cili konverton dioksidin e karbonit në biomasë.

Shkencëtarët besojnë se gjetjet do t’i ndihmojnë ata të kuptojnë më mirë ujërat nëntokësorë.

×

© Copyright 2020 Radio Eurostar - Të gjitha të drejtat e rezervuara. | Developed by Twisearf